Politika e privatësisë
Përditësuar më 26 shtator 2026
Kjo politikë shpjegon si platforma KuiKont (portali web, aplikacioni mobil dhe aplikacioni për kompjuter) dhe shtojca e shfletuesit KuiKont Plugin i trajtojnë të dhënat. KuiKont është një mjet kontabiliteti për biznese dhe kontabilistë. Shtojca ndihmon në plotësimin e formave në portalin e ATK-së (edeklarimi.atk-ks.org).
1. Çfarë të dhënash përdorim
- Të dhënat e llogarisë: emri, email-i dhe kredencialet e llogarisë suaj, për t’ju kyçur dhe për të ruajtur punën tuaj.
- Të dhënat e biznesit dhe të klientëve: faturat, deklarimet, librat dhe të dhënat financiare që ju vetë i futni ose i ngarkoni, për të ofruar shërbimin.
- Dokumentet me email: dokumentet që i dërgohen adresës së dokumenteve të biznesit tuaj pranohen dhe lexohen vetëm për ta regjistruar dokumentin te ai biznes.
- Eksportet e pikës së shitjes: skedarët Excel që ju importoni nga arka juaj përpunohen vetëm për t’i regjistruar shitjet, cash-in dhe stokun te biznesi juaj.
- Nga shtojca: imazhi i captcha-s dhe kërkesat për skedarë (libra, deklarata) i dërgohen serverit tonë vetëm për t’i përpunuar. Cilësimet e shtojcës ruhen lokalisht në shfletuesin tuaj.
- Kamera dhe fotot (aplikacioni mobil): përdoren vetëm për të fotografuar ose bashkëngjitur fatura e dokumente që ju vetë i zgjidhni.
- Mikrofoni (aplikacioni mobil): përdoret vetëm kur aktivizoni hyrjen me zë te asistenti KuiKontAI, për ta kthyer zërin tuaj në tekst.
- Autentifikimi biometrik (Face ID, gjurma e gishtit): përpunohet vetëm lokalisht në pajisjen tuaj nga sistemi operativ. Nuk e marrim, nuk e shohim dhe nuk e ruajmë asnjë të dhënë biometrike.
- Ekrani, vetëm gjatë mbështetjes live: pamja e KuiKont në ekranin tuaj, kur ju vetë pranoni që ekipi ynë t’ju ndihmojë (shih pikën 3).
2. Si i përdorim
Të dhënat përdoren vetëm për të ofruar funksionet e KuiKont: plotësimin e formave në ATK, leximin e captcha-s, përgatitjen e librave, deklaratave dhe faturave, dhe menaxhimin e llogarisë suaj. Çdo kërkesë e shtojcës drejt serverit mbrohet me një token. Fotot dhe dokumentet mund të përpunohen me inteligjencë artificiale (KuiKontAI) për të lexuar artikujt dhe shumat. Ato nuk përdoren për të trajnuar modele publike.
Nuk i shesim dhe nuk i ndajmë të dhënat tuaja me palë të treta për qëllime marketingu. Shtojca nuk ekzekuton kod të jashtëm dhe funksionon vetëm në faqen e ATK-së.
3. Mbështetja live (ndarja e ekranit)
Kur keni nevojë për ndihmë, ekipi ynë mund t’ju kërkojë të shohë ekranin tuaj në KuiKont: në portalin web, në aplikacionin për kompjuter ose në aplikacionin mobil. Kjo ndodh vetëm nëse ju e pranoni. Kërkesa shfaqet në ekran, mund ta refuzoni, dhe refuzimi nuk e kufizon aspak përdorimin e KuiKont.
- Çfarë shohim: vetëm dritaren e KuiKont, ashtu siç e shihni ju, përfshirë të dhënat që shfaqen në të. Nuk shohim skeda, aplikacione ose pjesë të tjera të pajisjes, dhe fjalëkalimet nuk shihen.
- Tregimi dhe vizatimi: gjatë seancës mund t’ju tregojmë me shigjetë dhe me vizatime mbi ekran.
- Klikimet: me lejen tuaj, ekipi mund të klikojë, të shkruajë dhe të lëvizë në KuiKont në vend tuajin. Në web dhe në kompjuter klikimet lejohen kur pranoni seancën, dhe i ndalni kur të doni me «Lejo klikimet». Në aplikacionin mobil ju kërkohet një leje e veçantë, që e hiqni kur të doni me «Hiq kontrollin».
- Gjithmonë në dorën tuaj: gjatë gjithë seancës në ekran shfaqet një shirit që tregon se ekrani po ndahet, me butonin «Ndalo» për ta mbyllur menjëherë.
- Çfarë ruajmë: pamja e ekranit kalon nëpër serverët tanë në kohë reale dhe nuk regjistrohet e nuk ruhet. Ruajmë vetëm një shënim për seancën: kush nga ekipi e kërkoi, për cilën llogari dhe biznes, kur u kërkua, u pranua dhe u mbyll, nga cila pajisje dhe faqe, dhe si përfundoi. Ky shënim fshihet pas 12 muajsh.
- Kush e sheh: vetëm anëtari i ekipit që ju ndihmon në atë seancë. Nuk e ndajmë me palë të treta.
4. Ruajtja dhe siguria
Të dhënat ruhen në serverët tanë dhe mbrohen me kyçje, me enkriptim të fushave të ndjeshme dhe me akses të kufizuar. I mbajmë për aq kohë sa llogaria juaj është aktive, ose sa kërkohet me ligj.
5. Të drejtat tuaja
Mund të kërkoni qasje, korrigjim ose fshirje të të dhënave tuaja duke na kontaktuar. Për të fshirë llogarinë tuaj dhe të dhënat përkatëse, vizitoni kuikont.com/fshij-llogarine. Shtojcën mund ta hiqni nga shfletuesi në çdo kohë.
6. Kontakt
Për çdo pyetje rreth privatësisë, na shkruani në info@atika.solutions. Kontrollues i të dhënave: ART ZYMERI B.I., Kosovë.